RSS

Patatja, magjia e ushqimit që vjen nga thellësitë

21 Jul

Ka më shumë se 7500 varietete dhe është
ushqimi i katërt më i përdorur në botë,
pas misrit, grurit dhe orizit. Edhe pse
është konsideruar si ushqim për të varfrit,
ka ndryshuar historinë e njerëzimit në të mirë
e në të keq. Mungesa e saj në vitin 1800 shkaktoi
emigrimin më të madh drejt SHBA-së. Mendohet
se ndoshta do të jetë ushqimi i astronautëve që
eksplorojnë hapësirën. Ndërkohë, OKB-ja i ka
mbështetur të gjitha shpresat tek ajo për të luftuar
urinë dhe varfërinë në botë. Suksesi i patates, ku
FAO 2008 e quajti edhe si “Viti Ndërkombëtar
i Patates”, i detyrohet një morie faktorësh të
veçantë: është e lehtë për t’u kultivuar, rritet në
çdo lartësi, mund të konservohet deri në 6 muaj,
është e ngrënshme rreth 85 për qind dhe mund të
kultivohet në një cep të vogël toke. Jo rastësisht,
ekonomisti gjerman, Friedrich Engels, tha se
zbulimi i patates solli revolucion në historinë e
njeriut po aq sa zbulimi i hekurit.
Tre muaj për t’u rritur
Origjina e patates daton rreth 8000 mijë vjet
më parë, në brigjet e lumit Titikaka, mes Perusë
dhe Bolivisë. Por në Evropë ajo erdhi në vitin 1500,
përmes anijeve të kolonizatorëve spanjollë. Që
atëherë, suksesi i saj mori famë botërore. Sot, çdo
vit në botë prodhohen rreth 323 milionë tonelatë
patate (të dhënat nga FAO 2005) në një sipërfaqe
195 mijë km², dy herë më shumë se Austria. Por
çfarë është patatja nga pikëpamja botanike? Është
një bimë që i përket familjes Salonacee, njëlloj si
domatja, duhani, patëllxhani dhe speci. Çel lule
të bardha dhe kërcej që nuk mund të
hahen. Mund të rritet kudo, nga
klima subtropikale tek ajo kontinentale,
në klima të ftohta apo
mesdhetare. Patatja rritet nën
tokë, e favorizuar nga
errësira, lagështira dhe temperaturat
e ulëta. Të mbështetur edhe
nga agjentët atmosferikë, për rreth
tre muaj stolonët (lloj rrënjësh) rriten deri sa formohen
zhardhokët, shumë të pasur me amidon
(një substancë e rëndësishme që grumbullohet
dhe mbron bimën nga sëmundjet). Nëse thahen,
nga patatja dalin sythe të reja (dhjetëra për një
zhardhok). Pikërisht kështu, nga zhardhoku në
zhardhok, riprodhohet edhe bima e patates. Të
zbuluara nga kolonizatorët evropianë në vitin
1500, ajo nuk pati menjëherë suksesin e kulturave
të tjera të importuara nga Bota e Re, si misri
dhe domatja. Ajo u përhap menjëherë në Evropë
dhe Amerikën e Veriut, por nuk u kultivua për
shumë shekuj në Kinë, SHBA dhe e gjithë zona
islamike.
Nga hambarët te flokët
Në të vërtetë, patatja arriti të fitonte lavdinë e
saj në shekullin e 18, për shkak të mungesës së
bukës, duke u bërë ushqimi kryesor që gjendej në
Evropë. Në Francë, mbretëresha Maria Antoneta
përhapi mes fisnikëve modën për të vendosur
në flokë lulet e patates. Rëndësia e saj u vlerësua
sidomos në Irlandë, ku patatet ishin bërë që
prej vitit 1700 ushqimi kryesor i të varfërve. Kjo
ishte arsyeja se përse viti 1845 ishte kaq i “zi”.
Peronospora, një lloj kërpudhe, preku bimët e
patateve, duke dëmtuar gjethet dhe duke i bërë
zhardhokët të pangrënshëm. Sasi të mëdha toke
ku kultivoheshin patatet u shkatërruan dhe u
dogjën, ndërsa njerëzit filluan të vdisnin nga
uria. Viktimat ishin më shumë se një milion. Në
ato vite nisi dhe emigrimi në masë i irlandezëve
drejt SHBA-së dhe Kanadasë. Lind pyetja, përse
peronospora u përhap atëherë? Sepse në udhëtimet
e para të gjata transoqeanike, gjatë kalimit
nga zona tropikale në hambarët e anijeve për
shkak të të nxehtit dhe lagështisë, patatet
pësuan një lloj pasterizimi, dhe ndërkohë
që temperatura rritej parazitët ngordhnin.
Në mesin e shekullit 18, me zbulimin e anijeve
me avull, shumë herë më të shpejta, ky proces
nuk ndodhi më dhe peronospora
kaloi e padëmtuar në Evropë. Vetëm
në vitin 1882, u zbulua se shkaku i
vërtetë i tharjes së patateve ishte një lloj
kërpudhe. Ndërkohë qeveria irlandeze doli nga
kriza, duke importuar produkte ushqimore nga
vende të tjera. Ndërkohë patatja ishte përhapur
në të gjithë Evropën. Sipas historianëve, zhvillimi
demografik i viteve 1700-1800 i detyrohet patates,
ushqimi i dashur i të varfërve që nuk arrinin të
blinin bukë. Por zhardhokët patën sukses të madh
edhe në Gjermani, por për disa arsye të veçanta.
Në këtë vend, ato përdoreshin për të prodhuar distilët,
ndërsa lëkurat e saj përdoreshin si ushqim
për kafshët e sidomos derrat.
Pjata kombëtare tradicionale
Patatja është një nga ushqimet që hyn në çdo
cep të kuzhinës, mund të skuqet, zihet apo piqet.
Përdorimi i gjithanshëm i saj ka frymëzuar shefat
më të mirë të kuzhinave në botë në një shumëllojshmëri
recetash, tashmë të famshme në të gjitha
vendet, mes të cilave “Rosti sviceriane” (patate
të grira, të përziera me gjalpë dhe vaj ulliri) apo
“Shpherd’s Pie” i famshëm anglez (një lloj byreku
me patate, mish qengji të grirë hollë dhe bizele).
Në Danimarkë, Suedi dhe Finlandë, patatet e reja
të ziera dhe me kripë e kopër përdoren gjithmonë
për të shoqëruar pjatat me sardelet e Baltikut.
Patatet e mbushura me mish dhe djathë kaçkavall
janë pjata tradicionale e kuzhinës lituaneze,
ndërsa pureja me mish, domate të grira, ullinj,
vezë dhe rrush të thatë e asaj peruane
Vitamina dietike
Nga pikëpamja ushqyese, patatja është një
ushqim i veçantë, siç shpjegojnë specialistët e
ushqimit dhe dietologët në botë. “Përmban
rreth 85 kilocalori në 100 gramë dhe nëse nuk
i shtohet asgjë, hyn tek ushqimet dietike. Ka
gjithashtu një sasi modeste yndyrash (më
pak se 1 për qind) dhe proteinash
(rreth 2 për qind) që përmbajnë
lizinë, një aminoacid i
rëndësishëm që
mungon te drithërat.
Patatja është e pasur
me karbohidrate (rreth 18 për qind), pjesa më e
madhe e të cilave përbëhet nga amidoni (16 për
qind) dhe sasi të vogla sheqernash të thjeshta.
Ajo përmban edhe një sasi të konsiderueshme
vitaminash si ajo B, Niacinë dhe Vitaminë C,
përveç acidit folik dhe atij pantotenik. Patatja
përbën një nga burimet më të rëndësishme të
kaliumit (rreth 570 mg/ 100 gramë), fosforit dhe
kalciumit, që pjesërisht kalojnë në ujin e gatimit
nëse zhardhokët nuk zihen me lëkurë. Ajo tretet
shumë lehtë, ndaj për këtë arsye janë ushqim që
këshillohet të përdoret edhe për fëmijët dhe të
moshuarit. Suksesi i saj te fëmijët është dëshmuar
nga një kukull, “Zonja Patate”, që u prodhua
në Amerikë, në fund të viteve ‘40. Një
model plastik i patates, mbi të cilin
mund të pikturoheshin sytë, hunda,
veshët deri sa të shndërrohej në një
fytyrë të “vërtetë”.
Patatina dhe “fast-food”
Megjithatë, “të mirat” e patates
nuk përfundojnë këtu.
Ajo mund të konser- vohet
lehtë (në vende të thata
dhe errësirë mund të qëndrojë deri
në gjashtë muaj) dhe mund të për-
doret sipas dëshirës. Jo rastësisht, më pak se 50
për qind të patateve të destinuara për ushqim
konsumohen të freskëta. Sasia më e madhe
bëhet pjesë e proceseve të ndryshme industriale.
Ajo, ashtu si zhardhoku, mund të ripërdoret për
sezonin tjetër. Në Francë, më shumë se 3 për
qind e prodhimit përdoret për të mbjellë patate
të tjera, ndërsa vendet e ulëta eksportojnë rreth
700 mijë tonelatë patate në vit për “riprodhimin”
e tyre. Fati më i zakonshëm i saj është ai i ngrirjes,
për të përfunduar më pas me thasë të mëdhenj
plastikë nëpër supermarkete apo “fast food”-e.
Gjatë këtij procesi, patatet qërohen, priten në feta,
zihen, thahen, skuqen, futen në ngirje dhe pastaj
paketohen. Kështu që konsumatorit nuk i mbetet
gjë tjetër veçse t’i përfundojën procesin, duke i
shndërruar kështu në patate të skuqura me shumë
shije. E, në fakt, uria botërore për këtë recetë
është shumë e madhe. Sipas llogaritjeve, çdo vit
në botë konsumohen rreth 11 milionë tonë patate
të skuqura. Siç e thamë, për shkak të cilësive që
kanë, ato mund të përdoren kudo, madje edhe
në produktet e pastiçerisë (për t’i bërë të buta),
në salca dhe në ushqimet që mund të përdoren
si ndihma ushqimore urgjente. Me procesin e
distilimit, patatja mund të shndërrohet edhe në
pije. Në Rusi, për shembull, nga ajo nxirret një lloj
alkooli që i shtohet, vodkës ndërsa në Skandinavi
bën të njëjtën gjë për Akvavitin, pijen alkoolike
kombëtare.
Karburante
Sot në Kinë kultivohet rreth 22 për qind e të gjithë
prodhimit botëror, megjithatë Evropa mbetet
konsumatori më i madh në botë, me 96 kilogramë
patate për person çdo vit. “Patatofilët” më të
mëdhenj në botë janë polakët, që konsumojnë
rreth 150 kilogramë për person në vit, ndërsa Italia
dhe Greqia konsumon rreth 40 kilogramë për
kokë. Në Evropë kohët e fundit, për shkak të uljes
së prodhimit, çmimi i tyre është rritur ndjeshëm.
Prej kohësh, duket se është me leverdi më të madhe
ekonomike që të importohen nga një vend në
tjetrin. Për shembull shumë prej atyre që gjenden
sot në tregjet tona vinë nga Egjipti, Maroku dhe
Libia. Megjithatë, patatet nuk përdoren vetëm si
ushqim. Sipas FAO-s, në vitin 2005, vetëm 2/3 e
të gjithë prodhimit botëror ishte destinuar për
qëllime ushqimore. Në industri, amidoni përdoret
shumë, sidomos në atë të tekstileve, letrave dhe
tapicerisë, me qëllimin e vetëm për t’i bërë më të
qëndrueshme. Për më tepër, e përpunuar kimikisht
dhe e oksiduar, ajo mund të përdoret edhe në
bojërat që përdoren për të stampuar pambukun
dhe lirin. Në industrinë e naftës, ajo përdoret për
të nxjerrë mbetjet e fundit të naftës nga basenet
në mbarim (amidoni grumbullon pjesët e vogla në
grupe më të mëdha, një mënyrë më e thjeshtë për
të nxjerrë mbetjet e fundit. Po ashtu, patatet prodhojnë
disa acide organike si acidi citrik (për pijet
freskuese) dhe atë transbutendioik, që përdoret si
konservues i sallameve në vend të nitrateve. Dhe
në fund nga patatja nxirret edhe etanol, që shërben
si karburant dhe për prodhimin e produkteve
bioplastike (si qeset prej plastike bio)
Rezistente ndaj baktereve
Cila do të jetë e ardhmja e patates? Gjithçka do
të varet nga bioteknologjitë që janë duke studiuar
lloje gjenetikisht të modifikuara për të rritur rendimentin,
për t’i bërë zhardhokët më rezistentë
ndaj sulmeve të baktereve (duke zvogëluar kështu
edhe përdorimin e pesticideve), ose për të prodhuar
patate që mund të përdoren vetëm për t’u
skuqur. Në Peru, kompania “Chimica Svizzera”
ka gjetur një mënyrë të re për të trefishuar prodhimin,
duke prodhuar patate gjigande deri në
gjashtë kilogramë.
Vietnami dhe NASA
Në Vietnam, në vitet e fundit, prodhimi i patates
është dyfishuar falë një sistemi mbjelljeje të
quajtur “mikropërhapje”. Me këtë metodë, brenda
një kohe të shkurtët dhe me çmim të reduktuar,
arrihet një numër i madh zhardhokësh të vegjël,
identikë me atë kryesor, dhe pa asnjë lloj virusi.
Si është e mundur? Zgjidhen patatet më të mira,
ndahen në copa të vogla dhe secila prej tyre
vendoset në mbajtëse xhami. Më vonë u shtohen
edhe hormone vegjetale për të nxitur prodhimin
e sythave të rinj. Megjithatë, kjo teknikë ka një
handikap të madh: bimët janë të gjitha njëlloj
gjenetikisht, edhe pse janë të përzgjedhura mes
më të mirave, ato janë të ekspozuara ndaj të
njëjtave infeksione. Sistemi, që ka nisur të prodhojë
zhardhokë të vegjël me peshë 0.5 gramë,
është përsosur nga laboratorët hapësinorë të
NASA-s, gjatë misionit “Columbia” të vitit 1995.
Në orbitë, në fakt, janë kushtet optimale për kulturat
“in vitro” si mungesa e viruseve, kërpudhave,
baktereve dhe kontrolli absolut i dritës e temperaturës.
Për këtë arsye, patat do të jenë ushqimi
i përkryer për astronautët. Gjatë misioneve të
gjatë ndërplanetarë mund të furnizojë me ujë
(duke i dishidratuar) dhe ushqime ekuipazhin.
Bimët e tyre, me procesin e fotosintezës, do të
kontribuojnë për të vendosur sasinë e duhur të
oksigjenit dhe dioksidit të karbonit në ajër. Në
këtë mënyrë revolucioni i patates do të mbërrijë
edhe në hapësirë.

PESHA TË RËNDA
Një fshatar kinez tregon me
krenari dy papate të ëmbla
gjigante, që së bashku arrijnë
peshën 31 kilogramë

ASTRONAUTËT
Nga testet në hapësirë janë
zhvilluar zhardhokë të vegjël me
peshë deri në 0.5 gramë, që
mendohet se do të jenë ushqimi
kryesor i astronautëve

USHQIMI I DASHUR
Mbledhja e patateve në Bjellorusi. Patatja
është ushqimi i katërt më i përhapur
në botë. Kina është prodhuesja më e
madhe, ndërsa konsumatorët më të
mëdhenj për person janë polakët

KRISHTLINDJE ME PATATE
Një pemë Krishtlindjesh e përgatitur
me 98 kilogramë patate, të
300 varieteteve në Lima (Peru), në
vitin 2007

 
Leave a comment

Posted by on July 21, 2012 in Uncategorized

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

 
%d bloggers like this: